31 tetor, 2020 – Presidenti Agim Ademi ka qëndruar sot në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Ferizajt, ku është mbajtur takimi me përfaqësuesit e këtij regjioni rreth përkrahjes së reformave dhe strategjisë së futbollit të FFK-së. Kryetari i këtij regjioni Afrim Haliti dhe përfaqësuesit e klubeve të këtij regjioni i  dhanë përkrahje dhe e falënderuan kreun e FFK-së për gjithçka që është bërë për këtë regjion deri më tash. Takimi u mbajt në kompleksin sportiv Bazeli, pronari i të cilit kompleks shtroi darkë për presidentin Ademi dhe përfaqësuesit e regjionit. Gjatë këtij takimi u diskutua për prioritetet e LRF të Ferizajt, me ç’rast u tha se përmirësimi i infrastrukturës mbetet primar, ku u kërkua që të gjenden mënyra për ndërtimin e një fushe tjetër stërvitore në këtë regjion si dhe ndërtimin e stadiumit të Ferizajt, ku klubi i këtij qyteti do t’i zhvillonte ndeshjet. Presidenti Ademi i vlerësoi kërkesat e përfaqësuesve të këtij regjioni si të arsyeshme dhe se do të punohet me institucionet relevante që ato të realizohen në të ardhmen.