22 korrik, 2021 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka përgëzuar FC Dritën për paraqitjen e sotme kundër Feyenoordit në kuadër të fazës së dytë në Ligën e Konferencës. Skuadra nënkampione e Kosovës arriti ta ndalë gjigantin holandez në “Fadil Vokrri” me shifrat 0:0, duke bërë që gjithçka rreth skuadrës që do të kualifikohet tutje të vendoset në ndeshjen e kthimit në Roterdam.
Urimi i presidentit Agim Ademi në Facebook:
Të dashur miq,
Sonte dua të uroj Dritën për lojën shumë të mirë dhe për angazhimin maksimal të shfaqur kundër gjigantit holandez, Feyenoord.
Barazimi 0:0 kundër një klubi të tillë është një sukses për Dritën dhe për futbollin tonë, edhe pse realisht rezultati baras nuk sjellë ndonjë siguri të madhe për ndeshjen e kthimit.
Gjithsesi të luash kaq mirë si teknikisht ashtu edhe taktikisht ndaj skuadrave të tilla gjigante pa dyshim ka vend për urime, andaj me këtë rast përgëzoj trajnerin e po ashtu edhe futbollistët për lojën e sotme.
Gjithashtu, falënderoj edhe tifozët për atmosferën e krijuar dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e kësaj ndeshje.
Vazhdimësia e lojërave të tilla cilësore po tregon se liga e Kosovës po vjen në nivelin ku e ka vendin dhe po dëshmohet se kemi futboll cilësor.
Uroj tifozët e Dritës dhe të gjithë dashamirët e futbollit!
Shpresoj se edhe në ndeshjen e kthimit në Roterdam do të na prezantoni denjësisht!
Urime Drita!
Me respekt,
A.A.