24 nëntor, 2023 – Presidenti Agim Ademi ka pritur sot përfaqësuesit e KFOR-it anglez, Casey Baker dhe Skye Meelboom.

Federata e Futbollit të Kosovës ka një histori të gjatë të bashkëpunimit të shkëlqyer me KFOR-in dhe ky takim është vijimësi e thellimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve reciproke.

Për vitin e ardhshëm është planifikuar organizimi i ndeshjeve miqësore midis skuadrave të institucioneve të sigurisë, KFOR-it, FSK-së dhe Policisë së Kosovës, me mbështetjen dhe përkrahjen e FFK-së. Kjo iniciativë synon të thellojë bashkëpunimin e futbollit me autoritetet e sigurisë dhe të krijojë një platformë për shkëmbimin e vlerave dhe vlerësimeve pozitive në shoqërinë kosovare.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës ka shprehur kënaqësinë e tij për bashkëpunimin të vazhdueshëm me KFOR-in dhe veçanërisht me kontingjentin anglez, duke theksuar rolin e tyre thelbësor në promovimin e sportit dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në vendin tonë.