11 nëntor, 2023 – Presidenti Agim Ademi sipas traditës në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Kosovë-Izrael, ka shtruar darkë për delegacionin izraelit në krye me presidentin Moshe Zuares. Në një ambient të ngrohtë e miqësor delegacionet e të dyja federatave diskutuan për zhvillimin e futbollit dhe rëndësinë që ka sporti në vendosjen e urave të bashkëpunimit. Presidenti i Federatës izraelite shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë si dhe nivelin e lartë të sigurisë për ekspeditën izraelite, në një periudhë jo të lehtë për vendin e tij dhe theksoi dëshirën e tij që po sa të krijohen rrethanat ta presë presidentin Ademi në Tel-Aviv si mysafir nderi. Nga ana e tij, presidenti Ademi uroi që shumë shpejtë të tejkalohet situata e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa edhe një herë vuri në pah gatishmërinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy federatave dhe dy shteteve në të mirë të zhvillimit të futbollit. Në fund të darkës të dyja palët shkëmbyen dhurata dhe uruan njëra-tjetrën për suksee dhe lojë korrekte.