30 nëntor, 2019 – Në prag të tërheqjes së shortit për Euro 2020, presidenti Agim Ademi ka zhvilluar një takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu. Gjatë këtij takimi u diskutua mundësia e organizimit të kampit të Kombëtares së Kosovës gjatë Evropianit 2020, në qoftë se Dardanët arrijnë të kalojnë me sukses sfidën me Maqedoninë dhe atë finale me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Kombeve. Në fakt, nëse Kosova e siguron kualifikimin në Euro 2020, atëherë ka mundësi të jetë në grup me Holandën, Ukrainën dhe Rumaninë (nëse kualifikohet) dhe ndeshjet e këtij grupi do të luhen në Amsterdam dhe Bukuresht, prandaj presidenti Ademi i sheh tri mundësi për kampin e qëndrimit të Kombëtares tonë, gjithmonë nëse arrihet kualifikimi. Si opsione për kampin e Dardanëve presidenti Ademi sheh ndonjë qytet në Gjermani afër Holandës, pastaj në Amsterdam dhe si mundësi të tretë edhe kampin në Rumani. Në tërheqjen e shortit që do të mbahet në Bukuresht, krahas presidentit Ademi janë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ai i FFMV-së, Muamed Sejdini.