19 nëntor, 2019 – Presidenti Agim Ademi gjatë qëndrimit në Shkup, ka takuar presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini dhe presidentin e Federatës së Futbollit të Izraelit, Shino Zuaretz. Gjatë këtij takimi tejet miqësor presidentin Ademi e njoftoi presidentin Zuaretz për të arriturat e Kosovës në tri vitet e fundit pas pranimit në UEFA e FIFA, si dhe shprehur nevojën e bashkëpunimit edhe më të madh me Federatën izraelite, në mënyrë që të dyja vendet të përafrohen edhe më shumë me qëllim të zhvillimit të futbollit dhe marrëdhënieve sa më të mira. Në anën tjetër, Zuaretz e përgëzoi presidentin Ademi për paraqitjet e mira të Kombëtares së Kosovës si në Ligën e Kombeve, ashtu edhe në kualifikimet e rregullta për Euro 2020. Presidenti Ademi qëndroi në Shkup së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, përzgjedhësin Bernard Challandes, ndihmëstrajnerin Muharrem Sahiti dhe menaxherin Bajram Shala, ku nga afër e ndoqën ndeshjen e fundit kualifikuese të rivalit të ardhshëm, Maqedonis së Veriut kundër Izraelit, pasi në muajin mars Kosova do të përballet në gjysmëfinale të “play-off”-it të Ligës së Kombeve me Maqedoninë e Veriut.