23 qershor, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu ndodhen në Gjermani, ku nga afër po i ndjekin ndeshjet e Kupës së Kosovës për Gjermani, ka takuar ish-futbollistin e gjeneratës së artë të Prishtinës, Xhevdet Muriqin. Gjatë këtij takimi përveç kujtimeve të përbashkëta për futbollin e viteve të 80-ta, ata, diskutuan edhe për futbollin e tanishëm si dhe për sukseset që po i arrin Kombëtarja e Kosovës. Me këtë rast ish-futbollisti i Prishtinës përgëzoi krerët e FFK-së për punën e bërë, duke uruar vazhdimin e serisë pozitive për Dardanët në ndeshjet e ciklit kualifikues për Euro 2020. E pranishme në këtë aktivitet është edhe Fatmire Musliu, konsulle e përgjithshme në Frankfurt. Garat e Kupës së Kosovës në Gjermani po mbahen në Stukenbrock nën organizimin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, derisa nikoqir i turneut të sivjetmë është FC Kastrioti nga Stukenbrocku, një klub model dhe shumë i suksesshëm që me dinjitet po e përfaqëson futbollin shqiptar në ligat gjermane.