20 nëntor, 2022 – Presidenti Agim Ademi, i cili ndodhet në Katar me ftesë të presidentin Gianni Infantino, për të ndjekur nga afër Kupën e Botës 2022, sot bashkë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kanë zhvilluar një takim me presidenten e Federatës së Islandës, Vanda Sigurgeirsdóttir. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet federatave, me theks të veçantë për projekte rreth futbollit të femrave. Po ashtu, Ademi e Duka janë takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Arabisë Saudite, Ibrahim Al Kassim. Ky i fundit i ka ftuar ata që të jenë mysafirë nderi në ndeshjen që Arabia Saudite do ta luajë kundër Argjentinës, më 22 nëntor. Bashkë me presidentin Ademi, në hapjen e Botërorit në Doha, janë edhe nënkryetari Bakir Burri dhe u.d.sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj.