15 korrik, 2021 – Presidenti Agim Ademi e ka uruar FC Dritën për kalimin e raundit të parë në UEFA Conference League. Skuadra nënkampione shënoi fitore edhe në takimin e dytë kundër Deçiqit, duke e siguruar kalimin në fazën tjetër të kësaj gare, ku do të ketë përballë klubin e njohur holandez, Feyenoord. Presidenti Ademi ka shprehur shpresën edhe për sukses të FC Prishtinës në fazën e ardhshme të kësaj gare, pasi është eliminuar nga Liga e Kampionëve, teksa KF Llapit i ka dëshiruar suksese në të ardhmen, pas eliminimi të sotëm në duel me KF Shkupin.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Urime FC Drita kualifikimin në raundin e dytë në UEFA Conference League. Paraqitja e juaj në dy ndeshjet kundër KF Deçiqit ishte mbresëlënëse dhe i gëzoi pa dyshim jo vetëm tifozët tuaj “Intelektualët” por edhe mbarë opinionin futbolldashës në Kosovë.

Përgëzimet më të mira për futbollistët, shtabin teknik, drejtuesit e klubit dhe për të gjithë tifozët e FC Dritës për këtë arritje, në një situatë jo të lehtë për shkak të pandemisë Covid-19. Uroj që edhe në raundin tjetër të keni sukses dhe ta përfaqësoni futbollin tonë në mënyrën më të mirë.

Gjithashtu, uroj që edhe FC Prishtina të ketë sukses në raundin e ardhshëm në UEFA Conference League kundër skuadrës kampione të Uellsit, Connah’s Quay Nomads.

Ndërkaq, KF Llapin e përgëzoj për organizimin dhe për paraqitjen e treguar në debutimin e saj në garat evropiane, me shpresë për suksese tjera në të ardhmen. Jam i bindur se paraqitja e sivjetme në Conference League do t’i shërbejë kësaj skuadre si përvojë e mirë për të ardhmen. Rikthimi i tifozëve në ndeshjen e sotme në “Fadil Vokrri” ishte një ogur i mirë dhe na dhuroi emocionet e munguara tash e një kohë të gjatë. Njëherësh kjo na jep shpresa për rikthim sa më të shpejtë në normalitet.

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së