2 korrik, 2022 – Komuniteti i gazetarëve sportivë në mbarë botën sot shënon ditën botërore të gazetarëve sportivë. E në këtë ditë të shënuar, presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar tërë drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës dhe tërë komunitetin e gazetarëve sportivë.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Sot gazetarët sportivë kudo në botë shënojnë Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Në këtë ditë të veçantë, dua të uroj të gjithë gazetarët sportivë në vendin tonë, drejtuesit dhe anëtarët e SHGSK-së, e po ashtu edhe doajenët e gazetarisë sportive tashmë në pension, të cilët ndër dekada kontribuuan në zhvillimin dhe pasqyrimin e sportit të Kosovës dhe jo vetëm.

Si president i FFK-së në vazhdimësi jam përpjekur të jem i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse në raste të caktura disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës.

Sidoqoftë, unë dhe FFK-ja si institucion, do të vazhdojmë të ruajmë dhe të zhvillojmë raportet e bashkëpunimit me mediat në përgjithësi dhe do të përkujdesemi që gazetarëve sportivë t’u krijojmë kushte sa më të mira në stadiumet e futbollit.
Inkurajoj gazetarët sportivë që të vazhdojnë pasqyrimin real të të arriturave në sport, por edhe shpërfaqjen e problemeve apo ngecjeve, ngase vetëm në këtë mënyrë i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit, por edhe ndihmojnë në përmirësimin e mëtejmë të sportit.

Sporti ka qenë segment i rëndësishëm i rezistencës dhe shtetndërtimit, derisa pas shpalljes së pavarësisë është treguar si ambasadori më i mirë i vendit, duke i pasqyruar vlerat e shoqërisë sonë. E në këtë aspekt rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe gazetarët sportivë.

Edhe një herë urime, shëndet e suksese për të gjithë Ju të nderuar gazetarë sportivë!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së