22 mars, 2020 – Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës edhe gjatë ditës së sotme kanë qenë në aksion në terren për t’u interesuar për gjendjen e klubeve, si dhe për shëndetin e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë në këtë situatë të vështirë si pasojë e përhapjes së koronavirusit Covid-19. Presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të KE-së, Ismajl Ajeti ka vizituar dy klubet e kryeqytetit FC ‘Prishtina’ dhe KF ‘2 Korriku’, derisa në pamundësi për të vizituar të gjitha klubet në regjione dhe për të respektuar masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore për lëvizje sa më të vogla, është vendosur që të gjithë anëtarët e KE të FFK-së të shkojnë për vizita në klubet e regjioneve të tyre dhe të interesohen për shëndetin e futbollistëve, duke iu ofruar ndihmat e nevojshme të gjitha klubeve si dhe për diskutuar për masat që do të ndërmarrë FFK-ja në këtë situatë.