19 tetor, 2022 – Presidentin Agim Ademi, në ditën e sotme e ka pritur një befasi e këndshme me të mbërritur në selinë e FFK-së. KE dhe administrata e FFK-së, së bashku me gjeneratën e artë, tifogrupin ‘Dardanët’, miqtë dhe familjarët e tij, kanë organizuar një pritje për presidentin me rastin e ditëlindjes së tij. I pari i FFK-së falënderoj të gjithë të pranishmit dhe në përgjithësi komunitetin e futbollit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tij në synimin për ta ngritur futbollin e Kosovës në një nivel tjetër. “Për mua FFK është familja ime e dytë. Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe jemi bashkë në këto kohë dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën për futbollin. Sigurisht se do ta bëjmë më të mirën sepse futbolli nuk bëhet vetëm. Unë jam vetëm një pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët. Komuniteti i futbollit ma ka dhënë mundësinë që të jem njeriu i parë i futbollit në Kosovë, por ju jeni njerëzit e parë të futbollit që e bëni punën. Jam shumë i lumtur që ky kuadër, duke filluar nga Komiteti Ekzekutiv, që më është gjendur afër në vazhdimësi, gjenerata e artë që është ajka e futbollit tonë, të gjithë bashkëpuntorët tjerë dhe një administratë fenomenale, e cila po e bën punën e vet dhe besoj që ju kemi krijuar kushte për punë dhe ecje para, pa harruar këtu ekipin kombëtar që na bënë krenar në vazhdimësi. Nëse ne jemi bashkë dhe mundohemi të punojmë me sinqeritet dhe me mundin tonë të qindpërqind për futbollin, jam i bindur që futbolli e merr rrugën e vet, që tashmë e ka marrë dhe jo vetëm me mua por me këdo që vjen, pa dyshim se kur e ka një staf të tillë sukseset nuk mungojnë”, ka theksuar presidenti Ademi, duke i falënderuar të gjithë për befasinë dhe për urimet e përzemërta. Në emër të KE-së dhe administratës presidentin e ka përgëzuar nënkryetari Agim Dibrani, derisa në emër të gjeneratës së artë disa fjalë për kreun e FFK-së i ka thënë Edmond Rugova. “Në emër të gjeneratës time ua uroj ditëlindjen me idenë që të keni shëndet e mbarësi së bashkue me familje dhe të gjithë ne. Faleminderit që po na respekton dhe po na prin përpara. Sikur ne që dikur ishim kampion, sot jeni ju për neve kampion”, ka thënë Rugova.