10 gusht, 2018 – Presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë vizituar sot stadiumin “Fadil Vokrri”, në prag të përurimit të tij, që do të bëhet të hënën me ndeshjen e Superkupës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës. Gjatë kësaj vizite presidenti Ademi dhe kryetari i komunës, Ahmeti, kanë përshkuar të gjitha ambientet e stadiumit. Ata edhe një herë kanë vlerësuar lartë punën e bërë, pasi tashmë ky stadium është kthyer në një impiant të mrekullueshëm, ku do t’i zhvillojë ndeshjet Kombëtarja e Kosovës. Pasi bënë edhe disa goditje të topit në fushën e gjelbër, presidenti Ademi dhe kryetari i komunës, Ahmeti, u prononcuan për media.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka shprehur bindjen se në mbrëmjen e së hënës stadiumi do të jetë i mbushur dhe tifozët do të dëshmojnë kulturë të lartë sportive dhe spektakël në tribuna. “Në radhë të parë dua të falënderoj kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili e dha propozimin që ky stadium të marrë emrin e legjendës dhe ish-presidentit tonë, Fadil Vokrri. Po ashtu falënderoj asambleistët që e votuan këtë propozim. Fizikisht Fadil Vokrri nuk është me ne, por ja tani jemi në stadiumin që e bartë me krenari emrin e tij dhe që ka ndryshuar pamjen dhe tashmë i plotëson kriteret e UEFA-s së kategorisë së katërt. Për ndeshjen e Superkupës është një interesim i jashtëzakonshëm dhe besoj se të gjithë tifozët do ta kenë përkushtimin që të jenë të zëshëm në kuptimin e mirë dhe sa më të urtë në kuptimin e qëndrimit të tyre, pasi kemi të bëjmë me dy tifozeri të ekipeve, por duhet ta kemi parasysh të gjithë se kjo ndeshje shërben si test dhe ende nuk e kemi marrë licencën për këtë stadium, prandaj kjo varet edhe nga sjellja e tifozëve. Por, besoj se i kemi tifozët e pjekur dhe ky stadium do të jetë arenë e festimit për hapjen e tij dhe për nderim të Fadil Vokrrit, ashtu siç e meriton”, ka theksuar presidenti Ademi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, u shpreh i lumtur që tashmë kryeqyteti ka një stadium të tillë, në të cilin do t’i luajë ndeshjet kombëtarja e Kosovës. “Kanë mbetur vetëm edhe pak punë të vogla, të cilat i kanë caktuar inspektorët e UEFA-së dhe ato do të kryhen deri të hënën kur do të luhet ndeshja e Superkupës, që do të jetë një test për federatën dhe për të gjithë ne, për të dëshmuar se mund të zhvillojmë ndeshje të karakterit ndërkombëtar, pasi në shtator na pret ndeshja e parë e Kosovës me Maltën më 10 shtator. Bashkë me presidentin Ademi dhe sekretarin Salihu i shikuam punimet e fundit dhe është diçka shpresëdhënëse për të hënën. Presim një spektakël. I bëjmë ftesë të gjithë tifozëve që të vijnë në numër sa më të madh, ta mbushin këtë stadium qysh i ka hije, jo vetëm për shkak të ndeshjes dhe stadiumit, por edhe t’i japim një nderim ish-presidenti Fadil Vokrri, pasi është hera e parë që luhet një ndeshje në stadiumin që tashmë e mbanë emrin e tij. Nga interesimi që po shohim këto ditë jam shumë optimist se ky stadium do të jetë i mbushur”, është shprehur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
[su_youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=CfyTL5wdJgQ” width=”360″ height=”260″]