18 nëntor, 2023 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Zvicër-Kosovë ka shtruar darkë zyrtare për nder të presidentit Agim Ademi dhe delegacionit të FFK-së. Pjesë e darkës ishte edhe ambasadori i Kosovës, Sami Ukelli si dhe ministrja e Drejtësisë e Zvicrës, Élisabeth Baume-Schneider.
Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Bazel kreu i futbollit zviceran shprehu kënaqësinë për lidhjen e ngushtë ndërmjet dy vendeve. Ai ritheksoi rëndësinë që kanë pasur shqiptarët në Zvicër, si dhe foli për futbollistët me origjinë nga Kosova që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë ende të japin më të mirën e tyre për Kombëtaren e Zvicrës.
Lidhjen e ngushtë mes dy shteteve e vuri në pah edhe ministrja Baume-Schneider. Nga ana e tij presidenti Ademi e falënderoi homologun e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe shprehu mirënjohjen e tij dhe të Kosovës për gjithçka çfarë ka bërë shteti zviceran për Kosovën dhe shqiptarët të cilët ndër dekada janë mirëpritur në Zvicër dhe kanë krijuar familjet dhe ekonomitë e tyre, duke qenë njëherësh kontribues të mëdhenj të zhvillimit të Kosovës në të gjitha aspektet. Në fund, të dy presidentët shkëmbyen dhuratat modeste, teksa u shprehën të bindur për një spektakël futbolli në ndeshjen e sotme, duke pasur parasysh faktin se një numër i madh i bashkëatdhetarëve tanë do të jenë të pranishëm në stadium.