30 dhjetor, 2023 – Në një atmosferë festive në takimin përmbyllës të vitit me gjyqtarët e futbollit nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës, presidenti Agim Ademi, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për drejtësi dhe rregullsi në fushën e lojës. Në një adresim frymëzues përpara gjyqtarëve, i pari i FFK-së ka përshëndetur angazhimin e tyre të palodhur në vitin që po mbyllet, ndërsa ka shprehur mirënjohjen e tij për punën e tyre të shkëlqyer.

Në fjalën e tij, presidenti Ademi ka theksuar rëndësinë e rolit të gjyqtarëve në lojën e futbollit, duke i cilësuar ata si figurat qendrore të një ndeshje. Ai ka nënvizuar përkushtimin e tyre për sigurimin e drejtësisë maksimale dhe rregullsisë gjatë garave vendore, por edhe në arenën ndërkombëtare.

“Sot, jam këtu për t’ju falënderuar për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në vitin që po e lëmë pas. Ju jeni pjesë e një dimensioni të veçantë të futbollit, ku drejtësia dhe rregullsia janë thelbi i lojës. Një ndeshje me drejtësi maksimale sjell kënaqësi për të gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët, andaj kërkoj që të vazhdoni ta kryeni detyrën tuaj me përpikëri edhe në vitin 2024”, theksoi presidenti Ademi.

Ai gjithashtu shprehu gëzimin e tij për përfshirjen e shumë gjyqtarëve të rinj në skenën e futbollit në Kosovë. Ai vlerësoi kontributin e tyre në nxitjen e zhvillimit të futbollit dhe në përmirësimin e nivelit të drejtësisë.

“Sot përmbyllim një vit të suksesit tonë të përbashkët, andaj nuk mund të mos vlerësoj angazhimin dhe pasionin tuaj. Në vitin 2024, ju uroj sukses të vazhdueshëm në punën tuaj, begati e shëndet në familjet tuaja”, shtoi ai.
Në fund, presidenti Ademi inkurajoi gjyqtarët të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim dhe t’i kontribuojnë ngritjes së standardeve në fushën e ndarjes së drejtësisë.