7 nëntor, 2017 – Presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri i shoqëruar nga nënkryetari z.Agim Ademi e anëtari i KE-së, Iljaz Mjaku, sot morën pjesë në ceremoninë e përurimit të stadiumit të qytetit të Kaçanikut “Besnik Begunca”. Në këtë ceremoni, veç kryetarit të komunës së Kaçanikut z. Besim Ilazi, ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe ministri i Kulturës , Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, të cilët e prenë shiritin e këtij stadiumi dhe topin e shqelmoi kryetari i Kuvendit z. Veseli. Të pranishmit i kanë përshëndetur kryetari i Kuvendit z. Kadri Veseli, ministri i MKRS-së z. Kujtim Gashi, kryetari i komunës së Kaçanikut  z. Besim Ilazi si dhe presidenti i FFK-së Vokrri, i cili me këtë rast u  shpreh: ”Ndërtimi dhe tash përurimi i këtij stadiumi është jashtëzakonisht i mirëseardhur për klubet e futbollit të komunës së Kaçanikut, veçmas për klubin ‘Lepenci’. Me këtë krijohen kushte më të mira për klubet, për zhvillimin e futbollit dhe ngritjen e cilësisë. Ndaj në Kosovë ngadalë po përmirësohet infrastruktura në futboll dhe me këtë i inkurajoj edhe komunat tjera që të ndihmojnë klubet e tyre  duke ndërtuar fusha të futbollit si parakusht themeltar për zhvillimin e futbollit. Unë po besoj se edhe stadiumi i qytetit në Prishtinë do të bëhet i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare me përkrahjen e MKRS-së si dhe do të nisë ndërtimi i Stadiumit Kombëtar”.