24 gusht, 2017 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri së bashku me ministren në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi dhe me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kanë vendosur sot gurthemelin për ndërtimin e tribunave në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me kapacitetet prej 3200 ulëse, sipas kategorisë së dytë të UEFA- së, ku do të investohen  640 mijë euro.
Ky është investim i përbashkët i MKRS-së, Komunës së Podujevës dhe FFK-së. 
Hartuese e projektit është MKRS, e cila edhe investon vlerën më të madhe të projektit.
Të gjithë pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur për fillimin e implementimit të këtij projekti, që ndihmon në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë.
Në anën tjetër, ministrja në detyrë Vlora Dumoshi shprehu mirënjohje për kontributin e sportistëve dhe veçanërisht të presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, për zhvillimin dhe avancimin e sportit të Kosovës, sidomos në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.