
10 janar, 2018 – Sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri priti drejtuesit e shkollës së futbollit “Roni 19” dhe të KF”Minatori” nga Magura, kryetarin Trashëgim Zeneli, drejtorin Arben Thaqi, përfaqësuesin Abedin Hazrollaj dhe trajnerin e ish-futbollistin e mirënjohur Faruk Statovci. Presidenti Vokrri me këtë rast i përgëzoi ata për trevjetorin e themelimit si dhe për punën e shkëlqyeshme që po bëjnë në zhvillimin e futbollit dhe rritjen e grup-moshave të reja. FFK-ja do të mbështesë sikur edhe deri më tani të gjitha klubet sipas rangjeve dhe mundësive. Kur kemi klube të organizuara mirë, të qëndrueshme ekonomikisht edhe federata është mirë. Nga ana e tyre delegacioni nga Magura duke falënderuar presidentin për kohën që ka ndarë dhe për mikpritjen, e njohën atë me punën, zhvillimin dhe vështirësitë që kanë duke premtuar se do të jenë gjithmonë klub që do të kultivojë futboll atraktiv dhe frymë sportive. Në fund drejtuesit e shkollës së futbollit dhe klubit i dhanë një mirënjohje presidentit Vokrri në shenjë mirënjohje dhe bashkëpunimi si dhe për zhvillimin e futbollit të Kosovës.