23 shkurt, 2017 – Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri me bashkëpunëtorë, nënkryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, ka pritur sot në zyrat e reja të FFK-së ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Shala që po shoqërohej nga këshilltari për sport, Muharrem Sahiti, shefi i kabinetit dhe zëdhënësi Ndue Ukaj dhe drejtori i departamentit të sportit, Ibër Alaj. Në këtë takimi ishin të pranishëm edhe drejtuesit e tifozëve “Dardanët”. Duke i dëshiruar mirëseardhje dhe duke i falënderuar për këtë vizitë presidenti Vokrri e njohu ministrin Shala, për prioritetet aktuale që ka FFK-ja me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës në stadiumin e Prishtinës dhe atë “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili tashmë është lejuar nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve, por që aktualisht nevojitet një renovim i tij në përputhje me standardet, të paktën për kategorinë e dytë në mënyrë që klubet e Kosovë që do të marrin pjesë në garat evropiane t’i zhvillojnë ndeshjet në Mitrovicë. Nga ana e tij ministri Kujtim Shala premtoi se ministria që ai drejton do të bëjë çmos që stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë të përgatitet për garat që pasojnë. Në këtë takim u bisedua edhe për ndërtimin e stadiumit kombëtar, ku presidenti Vokrri theksoi domosdonë e ndërtimit të këtij stadiumi, ndërsa ministri Shala e njohu presidentin Vokrri për ecurinë e angazhimeve dhe tha se po punohet shumë në këtë drejtim. MKRS është e vendosur që ta mbështesë FFK-në edhe më shumë në këtë vit. Tutje në takim u bisedua edhe për mbështetjen që duhet dhënë grupit të tifozëve “Dardanët”. Kështu që edhe FFK-ja edhe MKRS u pajtuan që “Dardanët” të mbështeten në misionin e tyre për përkrahjen e Kombëtares së Kosovës në ndeshjet e saj kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018”. Pas takimit me Vokrrin, ministri Shlala vizitoi të gjitha zyrat e punës së FFK-së, ndërsa presidenti Fadil Vokrri theksoi se këto hapësira të punës, mundësojnë një punë e angazhim më mirë dhe kjo ka bërë që të shtohet efikasiteti i punës.