22 shkurt, 2017 – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është nderuar me çmim special nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në mbrëmjen “Laureatët e Vitit 2016” që u mbajt sonte në Prishtinë. Presidenti i FFK-së u nderua për kontributin e madh në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, përkatësisht anëtarësimin në UEFA e FIFA. Presidenti Vokrri me këtë rast falënderoj KOK-un, derisa këtë çmim e vlerësojë me peshë të madhe për faktin se erdhi nga një juri e përbërë nga sportistë e ish-sportistë dhe gazetarë të sportit. Në këtë manifestim me çmimin kryesor të mbrëmjes u nderua xhudistja dhe krenaria e sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendi.