30 nëntor, 2023 – Prishtina 01 ka barazuar me skuadrën sllovene Dobovec në kuadër të xhiros së dytë të fazës së grupeve “Elite Round” në Ligën e Kampionëve në futsall. Ndeshja e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u mbyll baras me rezultat 3:3.
Mysafirët shënuan dy gola për një minutë me anë të Pasaricek dhe Knezevic (5’, 6’). Prishtina 01 nuk u tremb dhe u përgjigj me një gol të bukur të Maxharrajt, pas një asistimi të shkëlqyer nga Selmanaj.
Situata u bë më sfiduese për kampionët tonë kur u gjetën me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Limanit, por përkundër kësaj ata vazhduan të luftojnë me guxim. Dobovec shfrytëzoi avantazhin numerik, kur në minutën e 21 shtoi epërsinë me Cesarec. Por Prishtina 01 nuk u dorëzua. Philer shënoi një auto-gol, derisa më pas Maxharraj me golin e tij të dytë personal në minutën e 39 siguroi barazimin e merituar.
Aktualisht Grupin B e kryeson Benfica, me 6 pikë, që sot shënoi fitore ndaj Kairat Almaty, në ndeshjen kryesore të grupit, me rezultat 3:2.