28 tetor, 2023 – Kampioni në fuqi i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01 ka arritur sukses historik, duke u kualifikuar në “Elite Round” në Ligën e Kampionëve. Prishtina 01, të shtunën në Kaunas të Lituanisë, e mposhti AEL-in e Qipros, me rezultat 8:2. Megjithatë, kualifikimi i kryeqytetasve varej edhe nga rezultati i ndeshjes tjetër të grupit ndërmjet Kauno Zhalgirisit dhe Kampuksen Dynamos, e cila u mbyll me rezultat 1:1 dhe kësisoj kampioni i Kosovës e konfirmoi pjesëmarrjen në fazën e grupeve, duke qenë në mesin e 16 skuadrave më të mira të Evropës. Kësisoj, Prishtina 01 bëhet skuadra e dytë kosovare që e arrin në këtë nivel të garave, ngase vite më parë pjesë e kësaj faze ishte edhe skuadra nga Drenasi, Feniks.
Drilon Maxharraj, Lushi Qerimi, Ylli Mzreku, Arif Limani e Halim Selmanaj me dy gola dhe Ermir Kryeziu me një gol kontribuuan në fitoren tejet të rëndësishme të Prishtinës 01 ndaj AEL-it.
Shorti për “Elite Round” do të tërhiqet më 2 nëntor, derisa faza e grupeve zhvillohet prej 28 nëntorit deri më 3 dhjetor.