29 nëntor, 2023 – Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Prishtina 01 e ka nisur me humbje të thellë fazën e “Elite Round” në Ligën e Kampionëve, ku marrin pjesë 16 ekipet më të mira të Evropës. Prishtina 01 pësoi humbje nga skuadra kazake, Kairat Almaty, me rezultat 11:2, në kuadër të Grupit B. Ndeshjet e këtij grupi po organizohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Do theksuar se Kairat Almaty është superfuqi në futsallin evropian, në radhët e të cilit ekip luajnë shumë brazilianë. Në këtë fitore bindëse me nga dy gola kontribuuan Pedro Santos, Diego Favero dhe Diego Da Silva, ndërsa nga një gol e realizuan Neves De Lima, Edson, Douglas Junior, Alex Viana dhe Caio Ruiz. Për Prishtinën 01 golat i realizuan Alex Viana (autogol) dhe Drilon Maxharraj. Prishtina 01 të enjten nga ora 20:00 do të luajë kundër Dobovecit të Sllovenisë, derisa Kairat Almaty nga ora 17:00 ballafaqohet me Benfican, në ndeshjen që vlerësohet si përcaktuese për skuadrën fituese të grupit.