12 tetor, 2016 – Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 8-të në Vala Superligë. Skuadra kryesuese e renditjes deri këtë javë, Prishtina, ka barazuar pa gola në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj kundër Drenicës. Për Prishtinën ky është barazimi i dytë në këtë edicion, derisa ende mbetet skuadra e vetme pa humbje. Barazimin e Prishtinës e ka shfrytëzuar Trepça’89, e cila para tifozëve të vet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, e ka mposhtur me vështirësi Hajvalinë, me rezultat 1:0, duke u ngjitur në pozitën e parë, me 21 pikë, një më shumë se Prishtina. Golin e fitores për Trepçën’89 e shënoi John John, në minutën e 72-të. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar Besa, e cila e ka mposhtur Lirinë, me rezultat 2:0. Golat për pejanët i shënuan Leart Emini (32’) dhe Fatih Karahoda (80’). Ndërkohë, Llapi ka realizuar fitore të rëndësishme si mysafir, duke e befasuar Gjilanin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e ka shënuar Florim Bërbatovci, në minutën e 17-të. Pa fitues, por me gola është mbyllur ndeshja në stadiumin “Ismet Shabani” ndërmjet Ferizajt dhe Trepçës, me shifrat 2:2. Mirsad Idrizi shënoi dygolësh për ferizajasit, kurse për ‘xehetarët’ shënuan Hyseni (40’) dhe Avdyli (79’).
Vala Superliga – Java e 8-të
E martë, 11.10.2016
E mërkurë, 12.10.2016