22 qershor, 2021 – Skuadra kampione e Kosovës, FC Prishtina ka debutuar me fitore në garat e Ligës së Kampionëve. Bardhekaltrit e kryeqytetit, të martën në mbrëmje, në “Elbasan Arena” e kanë mposhtur kampionen e San Marinos, Folgoren, me rezultat 2:0, në ndeshjen gjysmëfinale të fazës parakualifikuese. Prishtina e dominoi në tërësi ndeshjen, por kishte vështirësi në finalizimin e rasteve të krijuara. Prishtina e zhbllokoi rezultatin në minutën e  51-të, me golin e Endrit Krasniqit, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Mendurim Hoti, në minutat shtesë. Pas kësaj fitoreje Prishtina e ka siguruar kalimin në finale, ku të premten do të ballafaqohet me kampionen e Andorrës, Inter d’Escaldes, që sonte fitoi 1:0 ndaj Torshavnit të Ishujve Faroe. Edhe ndeshja finale e fazës parakualifikuese do të zhvillohet në Elbasan, derisa fituesi do të luajë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së njohur hungareze, Ferencvarosh.