25 qershor, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 26-të në Ipko Superligë dhe të gjitha kanë përfunduar pa fitues. Prishtina nuk ka arritur të marrë pikët e plota në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke barazuar me Llapin 1:1. Kësisoj, bardhekaltrit e kryeqytetit ia kanë mundësuar Dritës që pas kësaj jave të ketë 4 pikë epërsi në krye të tabelës. Prishtina kaloi në epërsi me golin e Ahmet Januzit në minutën e 25-të, mirëpo llapjanët barazuan shifrat në minutën e 52-të me një supergol të Mentor Zhdrellës nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, edhe skuadra tjetër pretendente për titull, Ballkani ka barazuar si mysafir në përballje me Ferizajn, me rezultat 1:1. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 18-të, me golin e Arbër Prekazit, por Ferizaj barazoi rezultatin me golin e Albin Krasniqit në minutën e 79-të. Ndërsa, ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas u mbyll pa fitues dhe pa gola.