6 mars, 2024 – Prishtina dhe Drita kanë siguruar vend në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll pas fitoreve ndaj Trepçës ’89, përkatësisht Dukagjinit.

Skuadra bardhekaltër nga kryeqyteti pati një paraqitje impresionuese në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, duke e mposhtur Trepçën’89, me rezultat bindës 5:1.

Leotrim Kryeziu u shqua me dy gola në minutat e 8 dhe 13, duke nisur serinë e shënimeve të Prishtinës. Ardian Muja shtoi epërsinë në minutën e 25-të, ndërsa Mërgim Pefqeli shënoi nga penalltia për të çuar shifrat në 3:0. Hasan Hyseni u regjistrua në listën e golashënuesve në minutën e 44-t për 4:0. Trepça ’89 arriti të shënojë golin e ngushëllimit në minutën e 72-të, teksa rezultatin përfundimtar (5:1) e vulosi Igball Jashari, në minutën e 82-të.

Ndërkaq, Drita triumfoi në Klinë ndaj Dukagjinit, pas penalltive, 4:3. Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve nuk prodhoi gola.

Nesër zhvillohen dy ndeshjet e tjera çerekfinale, në të cilat takohen: Vjosa – Suhareka dhe Malisheva – Ballkani.