5 prill, 2023 – Prishtina dhe Gjilani kanë bërë hap të madh drejt finales së Kupës së Kosovës në futboll, pasi iu gëzuan fitoreve si mysafire në ndeshjet e para gjysmëfinale. Prishtina ka shënuar fitore në stadiumin “Ferki Aliu”, duke e mundur Vushtrrinë, me përmbysje të rezultatit, me shifrat 2:1. Vushtrriasit kaluan në epërsi me golin e Chibuezes, në minutën e 18-të dhe ishin në rrugë të mirë për ta fituar ndeshjen, por në minutat e fundit bardhekaltrit arritën të bëjnë kthesë në rezultat me dy gola të shënuar nga Endrit Krasniqi. Ai fillimisht realizoi në minutën e 83-të për t’i barazuar shifrat, derisa në minutën e 90-të shënoi për fitoren tejet të rëndësishme të skuadrës së drejtuar nga Debatik Curri. Me të njëjtin rezultat fitores në stadiumin “Zahir Pajaziti” iu gëzua edhe Gjilani, që e mundi fituesin e vitit të kaluar të kupës, Llapin. Golat për skuadrën e Zekirija Ramadanit i shënuan Jashari, në minutën e 7-të dhe Islami, në minutën e 17-të. Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën e Tahir Batatinës e shënoi Selimi, në minutën e 39-të. Ndeshjet e kthimit kur do të vendosen përfundimisht dy skuadrat finaliste të këtij edicioni do të zhvillohen më 19 prill.