18 prill, 2018 – Prishtina dhe Vëllaznimi janë kualifikuar në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina e ka siguruar kualifikimin vetëm pas vazhdimeve në duel me Vushtrrinë. Skuadra e Isa Sadriut shënoi në minutën e 49-të, me golin e Daut Maxhunit, duke e shkrirë epërsinë e Prishtinës nga ndeshja e parë. Në vazhdim me gjithë përpjekjet asnjëra prej skuadrave nuk arriti ta gjejë rrugën e golit, kështu që ndeshja shkoi në vazhdime ku Prishtina arriti të barazojë shifrat me golin e realizuar nga Basit Khalid, në minutën e 99-të, që në fund doli të ishte edhe goli që e siguroi biletën për finale. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Vëllaznimi arriti ta mbajë portën të paprekur në duel me Drenicën (0:0), duke kaluar në finale vetëm falë golit të shënuar si mysafirë në Skenderaj, pasi edhe sfida e parë e këtyre dy skuadrave ishte mbyllur baras, 1:1. Kësisoj, për herë të parë pas vitit 1994 Prishtina dhe Vëllaznimi do të vihen përballë njëra-tjetrës në finalen e kupës.