7 mars, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit çerekfinale në Digitalb Kupën e Kosovës. Pas Drenicës dhe Vëllaznimit, pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës e kanë siguruar edhe Vushtrria dhe Prishtina. Skuadra e Ligës së Parë, Vushtrria, ka arritur ta eliminojë Gjilanin, duke e mposhtur në Ferizaj, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e ka shënuar Jetmir Topalli, në minutën e 36-të. Shumë më interesante ka qenë sfida në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Prishtinës, ku skuadra gjysmëfinaliste është përcaktuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:1, derisa në vazhdime 2:2. Dy golat për Llapin i shënoi Mirlind Daku, kurse dy golat për Prishtinën malazezi, Drashko Bozhoviq. Në gjuajtjet e penalltive më efikas u treguan futbollistët e Prishtinës, pasi shënuan Drashko Bozhoviq, Armend Dallku dhe Ahmed Januzi, ndërsa dështoi vetëm Jamal Arago. Në anën tjetër për Llapin shënuan vetëm Mirlind Daku e Leart Emini, derisa dështuan Benjamin Emini, Egzon Shabani dhe Mentor Zhdrella.
Ndërkohë sot janë zhvilluar edhe ndeshjet e mbetura të javës së 16-të në Superligën e Juniorëve, rezultatet janë këto:
Vushtrria – Besa 1:0
Feronikeli – 2 Korriku 4:2
Drita – Ramiz Sadiku 1:2
Gjilani – Prishtina 3:1