Sot janë zhvilluar ndeshjet e para të gjysmëfinales së Digitalb Kupës së Kosovës. Prishtina ka shënuar fitore në duel me Llapin në kryeqytet, me rezultat 3:0, duke bërë një hap të madh drejt finales së kësaj gare. Prishtina i zhbllokoi shifrat e kësaj sfide në minutën e 68-të kur Armend Thaçi realizoi nga brendësia e zonës pas asistimit të Labinot Osmanit. Ndërkohë, epërsinë 2:0 për prishtinasit e shtoi Labinot Osmani nga penalltia, në minutën e 76-të, pasi paraprakisht Kreshnik Lushtaku u ndal në mënyrë të palejueshme nga Dardan Jashari. I njëjti lojtar (Labinot Osmani) e vulosi rezultatin përfundimtar, kur shënoi në minutën e dytë shtesë, pas një reagimi të dobët të mbrojtjes së mysafirëve. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër ndërmjet Trepçës’89 dhe Dritës, e cila u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, fitores iu gëzua Trepça’89, me një gol të vonshëm. Futbollistët e Dritës rezistuan deri në minutën e dytë shtesë, kur Fiton Hajdari shënoi nga brendësia e zonës pas asistimit të Blerand Kurtishajt. Ndonëse Prishtina e Trepça’89 iu gëzuan fitoreve në sfidat e para, gjithçka rreth skuadrave finaliste mbetet të përcaktohet në ndeshjet e kthimit në Merdar dhe Gjilan.