23 nëntor, 2019 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 16-të në Ipko Superligë. Prishtina e ka realizuar fitoren e dytë radhazi, kësaj radhe duke e mposhtur në shtëpi Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Ahmed Januzi, në minutën e 54-t. Kjo fitore ia mundëson Prishtinës të ngjitet në pozitën e katërt dhe ta ruajë hapin me liderin e renditjes, Ballkanin. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Drita, e cila e mundi Llapin, me shifrat 2:0, me golat e shënuar nga Betim Haxhimusa (74’) dhe Erion Vucaj (90+3’), si dhe Drenica në duel me Vushtrrinë, me rezultat 3:0. Ndërkohë, Feronikeli ka arritur t’i shmanget humbjes në kryeqytet në përballje me Flamurtarin (2:2), me golin e shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes. Shend Kelmendi realizoi dy herë për kuqezinjtë e kryeqytetit, por kampionët arritën të rikthehen me golat e Da Silvas dhe Albert Dabiqajt.