18 shkurt, 2018 – Me pesë ndeshjet që u zhvilluan sot është hapur stinori pranveror në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Prishtinës ka shënuar fitore si vendase në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë kundër Llapit, me rezultat 2:0, duke u ngjitur kësisoj në pozitën e parë në renditje pas javës së 19-të, pozitë në të cilën kishte qëndruar gjatë pushimit dimëror skuadra llapjane. Prishtina kaloi në epërsi qysh në minutën e 2-të, me golin e Bozhoviq, të shënuar nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, në minutën e 69-të Egzon Shabani shënoi autogol, duke vulosur fitoren e Prishtinës. Një ndeshje mjaft interesante ishte edhe ajo ndërmjet Dritës dhe Feronikelit, e cila u zhvillua në Gjilan, e ku fitores iu gëzua skuadra gjilanase, me golin e shënuar nga Fidan Gërbeshi nga penalltia në minutën e 52-të. Me fitore stinorin pranveror e kanë nisur edhe Trepça’89 dhe Liria. Trepçs’89 i mjaftoi një gol i Shpëtim Idrizit në përballjen me Vëllaznimin, derisa Liria e mposhti Vllazninë, me rezultat 2:1, me dy golat e shënuar nga Magani. Golin e nderit për mysafirët e shënoi Miftaraj. Ndërkaq, sfida në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Besës është mbyllur pa fitues, 2:2. Hamiti e Peposhi shënuan nga një gol për drenicasit, kurse për një pikë të pejanëve u përkujdesën Shkëmbim Salihi (2’) dhe Azem Bejta, që shënoi autogol.
Rezultatet
Drita – Feronikeli 1-0
Liria – Vllaznia 2-1
Trepça ’89 – Vëllaznimi 1-0
Drenica – Besa 2-2
Prishtina – Llapi 2-0
Nesër: Flamurtari – Gjilani