prishti-dritaPrishtina dhe Drenica shënuan fitore në ndeshjet e javës së 25-të në Raiffeisen Superligë, që u zhvilluan të premten, Prishtina e mposhti Trepçën, me rezultat 3:0, në kryeqytet. Kjo ishte fitorja e parë e bardhekaltërve nën drejtimin e Suad Keçit. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e shiut dhe nëpër terren mjaft të rrëshqitshëm. Golin e parë për prishtinasit e shënoi Kastriot Rexha, në minutën e 27-të, pas një gabimi të portierit mysafir Ademi. Për Rexhën ky ishte goli i parë në fanellën e Prishtinës. Me shifrat 1:0 u mbyllën 45 minutat e parë.
Në pjesën e dytë prishtinasit ishin edhe më dominues, duke shënuar edhe dy gola tjerë. Fillimisht në minutën e 67-të Liridon Latifi qëlloi shtyllën e Ademit pas një harkimi nga këndi, teksa vetëm një minutë më vonë, Argjend Malaj realizoi një gol të bukur me gjuajtje për tokë, 2:0.
Trepça u dorëzua plotësisht në minutën e 79-të, kur mbeti me një futbollist më pak në fushë pasi me karton të kuq u ndëshkua Edmond Turku. Epërsinë numerike në fushë Prishtina e shfrytëzoi shpejt, duke shënuar edhe golin e tretë nëpërmjet Berat Ahmetit, pas asistimit të Driton Krasniqit.
Me këtë fitore Prishtina rikthehet në pozitën e dytë, me 41 pikë, derisa Trepça mbetet në pozitën e parafundit, me 26 pikë.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Drenica e mposhti Feronikelin, 1:0. Golin e fitores për kuqezinjtë e shënoi kapiteni i skuadrës, Sami Geci nga pika e bardhë në pjesën e dytë.
Pas kësaj fitoreje Drenica ka 36 pikë në pozitën e tretë në renditje, kurse Ferronikeli vazhdon të jetë në pozitën e 10-të në renditje me 27 pikë.
Raiffeisen Superliga – Xhiroja e 25-të
E premte
Prishtina-Trepça 3:0
Drenica-Feronikeli 1:0
E shtune
Besa-Drita
E diele
Llamkos Kosova-Trepça ‘89
Ferizaj-Fushë Kosova
Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 15:00