27 shkurt, 2022 – Janë zhvilluar sot tri ndeshjet e fundit të javës së 22-të në BKT Superligë. Derbi i ditës ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, i zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë, është mbyllur pa fitues 2:2. Gjilanasit ishin në epërsi prej 2:0 me golat e realizuar nga Gerhard Progni e Arbër Prekazi, mirëpo prishtinasit arritën të barazojnë shifrat në fund të ndeshjes me golat e Otto John dhe Endrit Krasniqi. Pas këtij barazimi Gjilani mbetet në pozitën e dytë, me 43 pikë, dy më pak se Ballkani, derisa Prishtina renditet e gjashta me 26 pikë. Ulpiana ka realizuar fitoren e parë pas tetë ndeshjeve dhe atë duke e mundur Drenicën, me rezultat 3:1. Golat e fitores për lipjanasit i shënuan Iran Goncalves (29’), Silvestre Shkalla (54’) dhe Trimror Selimi (87’). Ndërkaq, golin e vetëm për Drenicën e shënoi Kreshnik Uka (96’). E fitore bindëse ka shënuar edhe Dukagjini si mysafir i Feronikelit, me shifrat 3:0. Joan Carioca, Ardin Dallku dhe Ahmed Januzi realizuan për fitoren e parë të Dukagjinit në pranverë.