Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 27-të në Raiffeisen Superligë. Prishtina ka shënuar fitore bindëse para tifozëve të vet kundër Trepçës, me rezultat 4:0, duke vazhduar me këmbëngulësi garën për titull. Prishtinasit ishin superiorë ndaj mitrovicasve dhe si rrjedhojë shënuan katër gola. Dy gola i realizoi Labinot Osmani(34′, 55′) dhe nga një gol Shend Kelmendi (30′) dhe Mentor Zhdrella (72′). Pas kësaj fitoreje Prishtina zë pozitën e dytë me 51 pikë, 3 më pak se sa Feronikeli në vendin e parë. Ndërkohë, Kosova e Vushtrrisë e ka mposhtur Besën në Pejë, me rezultat 3:2. Golat për mysafirët i shënuan Bahri Kera, Bajram Zuqaku dhe Milot Rashica, derisa golat për Besën i shënuan Mensur Duraku dhe Fatih Karahoda. Pas kësaj humbje Besa bie në pozitën e tretë me 50 pikë, 4 më pak se Feronikeli dhe 1 më pak se Prishtina, ndërsa Kosova e Vushtrrisë ngjitet në pozitën e katërt me 46 pikë të tubuara. Ndërkaq, ndeshja në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Istogut është mbyllur pa fitues dhe pa gola.