19 gusht, 2016 – Prishtina e ka nisur me fitore kampionatin e ri në VALA Superligë. Skuadra nga kryeqyteti, në ndeshjen hapëse të edicionit të ri, e ka mposhtur Llapin, me rezultat 3:1, në ndeshjen që është zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, pasi stadiumi në kryeqytet është duke u rinovuar. Fitorja në ndeshjen e Superkupës kundër Feronikelit duket se i motivoi edhe më shumë futbollistët e Prishtinës, të cilët edhe në këtë ndeshje treguan lojë të mirë dhe efikase. Derisa në pjesën e parë munguan golat, në të dytën u shënuan gjithsej katër gola. Serinë e golave për Prishtinën e nisi Shend Kelmendi, i cili u inkuadrua në fillim të pjesës së dytë, kur e finalizoi aksionin e minutës së 48-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Ahmed Januzi, i cili finalizoi asistimin e Makenda Gauthier, në minutën e 62-të, aksion për të cilin llapjanët u ankuan në pozitë jashtë loje. Ndërkohë, vetëm dy minuta më vonë Makenda Gauthier kaloi me sukses disa lojtarë të llapjanëve dhe shënoi për epërsinë, 3:0. Në anën tjetër, golin e vetëm për Llapin e shënoi Egzon Sinani, në minutën e 71-të pas një tollovie në afërsi të portës së prishtinasve.