19 shtator, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 5-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Drita ka shënuar fitore si mysafire në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat 2:0, duke ia shkaktuar humbjen e pare skuadrës së Drenicës, e cila para kësaj jave ishte lidere në renditje. Për fitoren e tretë të Dritës në këtë edicion u përkujdesën Almir Ajzeraj dhe Hamdi Namani. Kësisoj, tashmë skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu pozicionohet në vendin e dytë, me 11 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në pozitën e parë. Ndërkohë, fitoret e para në këtë edicion i kanë realizuar Prishtina dhe Ulpiana. Skuadra kampione në fuqi iu gëzua fitores në Klinë ndaj Dukagjinit, me përmbysje të rezultatit. Të parët në epërsi kaluan vendasit, me golin e Ardin Dallkut, në minutën e 35-të, por prishtinasit u rikthyen në pjesën e dytë me golat e Mendurim Hotit, 60-të dhe Besnik Krasniqit (80’-pen). Në anën tjetër, befasinë e kësaj jave e përgatiti Ulpiana, e cila si mysafire shënoi fitore ndaj Gjilanit, me rezultat 3:2, në një ndeshje shumë interesante. Gjilani kaloi në epërsi, me golin e Besar Musollit (48’), por vetëm dy minuta më pas Marclei Santos barazoi shifrat 1:1. I njëjti futbollist e kaloi Ulpianën në epërsi, me golin e shënuar nga penalltia (69’). Megjithatë, Gjilani nuk u dorëzua dhe në minutat e fundit të kohës së rregullt barazoi me golin e Fiton Hajdarit. Mirëpo, në kohën shtesë kur gjilanasit bënin përpjekje për ta përmbysur rezultatin, pas një kundërsulmi të shpejtë mysafirët arritën të shënojnë golin e fitores nëpërmjet Trimror Selimit, në minutën e 9-të të shtesës.