28 mars, 2019 – Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen e mbetur të javës së 23-të në duel me Flamurtarin, me rezultat 3:0, që u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Me këtë fitore bardhekaltrit e kryeqytetit janë rikthyer në pozitën e dytë në renditje dhe tani kanë 50 pikë, pesë më pak se Feronikeli kryesues dhe dy më shumë se Llapi si ndjekës më i afërt. Serinë e golave e hapi Meriton Korenica, në minutën e 16-të. Epërsinë në 2:0 e shtoi Mario Morina, në minutën e 22-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi ai që i zhbllokoi shifrat, Korenica, me golin e shënuar në minutën e 56-të. Ndërkaq, Flamurtari pas kësaj humbjeje mbetet në pozitën e nëntë me 28 pikë.