ferizaj-prishtina1Skuadra kampione në fuqi, Prishtina, ka shënuar fitore shumë të rëndësishme si mysafire kundër Ferizajt. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Ismet Shabani” në Ferizaj, skuadra e drejtuar nga Suad Keçi, ka arritur të mposhtë vendasit, me rezultat bindës 4:1. Në pjesën e parë ferizajasit luajtën shumë mirë. Ata kaluan në epërsi në minutën e 7-të, me golin e realizuar nga Egzon Shabani, duke iu falënderuar edhe një dalje të gabuar të portierit Kushtrim Mushica. Vendasit patën edhe disa mundësi tjera të mira shënimi, por nuk i konkretizuan. Në anën tjetër, prishtinasit arritën të kthejnë baraspeshën në fund pak sekonda para se skuadrat të shkonim në pushim. Pas një aksioni të mirë nga krahu i majtë, Drilon Berisha e shërbeu në qendër të zonës së rreptësisë Liridon Latifin, i cili u tregua i saktë, 1:1. Ndërkohë, në pjesën e dytë prishtinasit dominuan tërësisht. Latifi shënoi golin e dytë në minutën e 75-të, pas asistimit të Gentrit Begollit. Ky i fundit asistoi edhe tek goli i tretë i mysafirëve, që kësaj radhe realizator e kishte të riun, Shend Kelmendi, në minutën e 79-të. Dhe krejtësisht në fund, në minutën e 89-të rezultatin përfundimtar e vulosi Berat Ahmeti, pas një depërtimi vetjak. Pas kësaj fitoreje Prishtina i ka barazuar pikët me Ferizajn (51), duke qenë vetëm katër pikë larg Llamkos Kosovës, që nesër e zhvillon ndeshjen e kësaj jave kundër Besës në Pejë.
Mjaft interesante ishte edhe sfida e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Feronikeli ka arritur ta realizojë fitore të madhe në ‘luftën’ e tyre për t’i ikur pozitës së barazhit kundër Trepçës, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshje e realizoi Zeqir Hasi, në minutën e 14-të. Tani, Feronikeli ka 35 pikë në pozitën e 10-të, një më pak se Trepça e cila mban të nëntën. Ndeshja në Gjilan, ndërmjet Dritës dhe Hajvalisë u mbyll pa fitues, 1:1. Hajvalia kaloi e para në epërsi përmes Enis Zabërgjës, i cili shënoi në minutën e 41-të. Mirëpo, Ismet Ramushi arriti të barazojë shifrat në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë nga penalltia.
Ndërkohë, Trepça’89 ka shënuar fitore në duel me skuadrën e fundit në renditje, Fushë Kosovën, me rezultat 1:0. Golin e fitores për mysafirët e shënoi Blerand Kurtishaj, në minutën e 75-të.
Raiffeisen SUPERLIGA,Java e 30:
Ferizaj-Prishtina 1-4,
Fushë Kosova-Trepça 89 0-1
Feronikeli-Trepça 1-0,
Drita-Hajvalia 1-1,
LIGA E PARË, Java e 27:
Liria-Dukagjini 1-0
Vëllaznimi-Lepenci 3-0,
Llapi-Istogu 4-0
Ulpiana-Flamurtari 2-1,
Rilindja-Kosova (p) 0-2,
2.Korriku-R.Sadiku 3-1,
Dje:
Gjilani-KEK-u 4-2,
Deçani-Ballkani 3-1.