29 qershor, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 27-të në Ipko Superligë. Prishtina ka shënuar fitore në shtëpi në duelin e vështirë kundër Feronikelit, me rezultat 3:1, duke e mbajtur hapin me Dritën kryesuese, e cila ka 4 pikë më shumë. Golat për Prishtinën i realizuan Otto John (11’), Gauthier Mankenda (45’) dhe Ahmed Januzi (57’), derisa golin e barazimit të përkohshëm për Feronikelin e shënoi Albert Dabiqaj (12’). Ndërkohë, Gjilani ka bërë një hap prapa në garën për titull, duke barazuar në shtëpi me Llapin, 2:2. Llapjanët ishin dy herë në epërsi, me golat e Valmir Veliut në minutat 15’ e 42’, por vendasit arritën të barazojnë në të dyja rastet me golat spektakolarë të Keita Razak (22’) dhe Gerhard Prognit (90’). Ndërkaq, Ballkani ka realizuar fitore të pritur në duel me Vushtrrinë, me rezultat 3:1, me golat e shënuar nga Mirlind Daku (13’), Blend Baftiu (18’) dhe Arbër Prekazi (53’), derisa të vetmin gol për mysafirët e realizoi Kushtrim Fazliu në minutën e 78-të.
Rezultatet:
Drita – Dukagjini 2:0
Drenica – Trepça ’89 2:4
Flamurtari – Ferizaj 3:2
Gjilani – Llapi 2:2
Ballkani – Vushtrria 3:1
Prishtina – Feronikeli 3:1