31 tetor, 2018 – Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen kryesore të javës së 13-të në IPKO Superligë në duel me Trepçën’89, me rezultat 2:0. Ndeshja u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” nën dritën e reflektorëve. Prishtina e mbizotëroi plotësisht lojën, derisa ‘minatorët’ shfaqën lojë të zbehtë, sidomos në pjesën e parë. Bardhekaltrit kaluan në epërsi në minutën e 15-të, kur Marjo Morina shënoi pas dy tentimesh në portën e Arben Beqirit. Tre minuta më vonë Morina doli sërish në rast të mirë, por nuk shënoi. Në minutën e 28-të edhe Korenica u përpoq ta gjejë golin nga distanca, por pa sukses. Katër minuta më vonë Arbër Hoxha tundi rrjetën e mysafirëve, por gjyqtari Dardan Çaka e anuloi golin pasi Khalid paraprakisht kishte luajtur me dorë. Vetëm një minutë më vonë Hoxha sërish ishte në rast ideal, por nuk gjuan si duhet me kokë. Rasti i fundit në pjesën e parë ishte ai i Morinës në minutën e 42-të që gjuan pranë shtyllës. Në pjesën e dytë mundësinë e parë e patën mitrovicasit, por gjuajtjen e Hasan Hysenit e priti Bekaj. Tre minuta më pas Prishtina ishte afër golit të dytë, por gjuajtja e devijuar e Morinës qëlloi shtyllën. Mundësi të mirë pati edhe Khalid në minutën e 65-të pas asistimit të Morinës. Ndërkohë, fitoren e Prishtinës e vulosi zëvendësuesi Mërgim Pefqeli me gjuajtje të fortë në minutën e 68-të. Do theksuar se nga minuta e 70-të Trepça’89 mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ylber Malokut. Pas kësaj fitoreje Prishtina ka 27 pikë, dy më pak se Feronikeli që kryeson renditjen.