18 mars, 2023 – Sot u zhvilluan dy ndeshje të javës së 26-të në Albi Mall Superligë. Prishtina, e cila javëve të fundit ishte në krizë të rezultateve ka arritur të shënojë fitore tejet të rëndësishme në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në përballje me Drenicën, me rezultat 1:0. Ishte qendërmbrojtësi Bujar Pllana, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshje, në minutën e 33-të. Në frymën e fundit të ndeshjes, Prishtina mbeti pa portierin Ardit Nika, i cili u përjashtua me karton të kuq dhe në portë u vendos futbollisti Mërgim Pefqeli, por Drenica nuk arriti të shënojë nga gjuajtja e lirë. Në ndeshjen tjetër skuadra e Dritës nuk arriti të fitojë ndaj Malishevës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj”, pasi rezultati mbeti ai i fillimit, 0:0.