4 prill, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 27-të në Superligë. Prishtina ka realizuar fitore tejet të rëndësishme si mysafire, duke e mundur njërën prej konkurrentëve për titull, Ballkanin, me rezultat 1:0. Deri te arkëtimi i tre pikëve të plota në Suharekë bardhekakaltrit e kryeqytetit arritën falë autogolit të ish-futbollistit të tyre, Armend Thaqi, në minutën e 35-të. Pas kësaj fitoreje Prishtina zë vendin e tretë, me 54 pikë, vetëm një më pak se Ballkani në pozitën e dytë, përkatësisht katër më pak se kryesuesja e renditjes, Drita. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Feronikeli ka shënuar fitore në duel me Llapin, me rezultat 4:0. Dy golat për Feronikelin i shënoi Marko Milickovq, derisa me nga një gol kontribuuan Marko Simonovski dhe Albert Dabiqaj. Me këtë fitore Feronikeli stabilizohet në pozitën e pestë me 34 pikë, një shumë se Llapi në pozitën e gjashtë.