23 janar, 2021 – Skuadra e Prishtinës është fituese e Superkupës së Kosovës për edicionin 2019/20, pasi e ka mundur skuadrën kampione në fuqi, Dritën, në Antalia, me rezultat 3:1. Kjo ndeshje për herë të parë u organizua jashtë vendit, me pajtim të të dyja klubeve, të cilat po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para stinorit pranveror. Të dyja skuadrat paraqitën lojë shumë të mirë dhe dinamike. Prishtinasit kaluan në epërsi qysh në minutën e tretë me golin e Qëndrim Zybës. Megjithatë, vetëm katër minuta më vonë u kundërpërgjigjen gjilanasit, të cilët barazuan shifrat nëpërmjet Kastriot Rexhës, i cili shfrytëzoi një reagim të dobët të portierit Eglant Haxho. Prishtina e ktheu epërsinë në minutën e 22-të, kur Besnik Krasniqi u tregua i saktë nga penalltia, pasi më herët Leonit Abazi u pengua brenda zonës nga mbrojtja gjilanase. Edhe në pjesën e dytë u zhvillua lojë cilësore dhe me raste shënimi në të dyja anët, por ishin prishtinasit ata që finalizuan edhe golin e tretë, kur Alban Shillova shënoi në minutat e shtesë. Në fund, trofeun kapitenit të Prishtinës, Lorik Boshnjaku ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Për Prishtinën ky ishte trofeu i 10-të i Superkupës në histori. Këto dy skuadra do të ballafaqohen sërish më 10 shkurt në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri”.