16 maj, 2021 – Prishtina është kurorëzuar me titullin e kampionit të Superligës një javë para mbylljes së edicionit garues 2020/21. Bardhekaltrit e kryeqytetit në javën e 35-të kanë shënuar fitore si mysafir ndaj Gjilanit, me rezultat 2:1, duke arritur në kuotën e 78 pikëve, e cila ua siguroi pozitën e parë. Kësisoj, Prishtina e rikthen titullin e kampionit në kryeqytet pas 8 vjetësh, derisa ky është trofeu i 11-të i kampionit në historinë e këtij klubi. Golat e fitores për Prishtinën kundër Gjilanit i shënuan Gledi Mici nga penalltia në minutën e 15-të dhe Qëndrim Zyba, në minutën e 40-të, derisa golin e vetëm për Gjilanin e realizoi Arbër Çyrbja (53’). Në ceremoninë e  ndarjes së medaljeve dhe trofeut për kampionët ishin të pranishëm presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu si dhe anëtarët e KE të FFK-së, Ismajl Ajeti dhe Naser Ajeti. Derisa skuadra kampione u kurorëzua, drama për pozitën e nënkampionit e cila dërgon në garat evropiane dhe lufta për mbijetesë mbetet e paqartë dhe gjithçka do të vendoset në ndeshjet e javës së fundit.