26 gusht, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së dytë në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Liria e Prizrenit ka shënuar fitoren e parë në këtë kampionat, pasi para tifozëve të vet ka triumfuar në duel me kampionin në fuqi, Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e fitores për prizrenasit e shënoi Mevlan Zeka nga penalltia në minutën e 76-të. Fitoren e parë e ka shijuar edhe Prishtina, e cila në derbin e kryeqytetit e ka mposhtur Flamurtarin, me rezultat 2:0. Të dy golat bardhekaltrit i shënuan në pjesën e parë nëpërmjet Mërgim Pefqelit, në minutën e 18-të dhe Mentor Mazrekajt, në minutën e 38-të. Ndërkohë, tri pikëve të para iu gëzua edhe Drenica, e cila para tifozëve të vet arriti ta mposhtë Vëllaznimin, me rezultat të ngushtë, 1:0. Golin e fitores për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Taulant Dajaku, në minutën e 50-të.