9 shkurt, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të rrethit të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, me çka nisën garat e stinorit pranveror në futboll. Derisa Drenica u tregua skuadër superiore në duel me skuadrën e Ligës së Parë, Ulpianën, duke e mposhtur me rezultat të pastër, 4:0, në dy ndeshjet e tjera nuk mjaftuan 90 minutat e rregulltë për t’u konfirmuar skuadrat e kualifikuara në çerekfinale. Drenica iu gëzua fitores me rezultat bindës, 4:0, me dy gola të Baton Zabërgjës (45’ e 81’) dhe nga një gol të Donald Rapos (14’) e Kreshnik Ukës (55’). Ndërkohë, Prishtina e përsëriti suksesin e arritur në fund të muajit të kaluar në Antalia, kur e mundi Dritën në ndeshjen e Superkupës. Por, kësaj radhe bardhekaltrit e kryeqytetit fitoren e arritën vetëm pas vazhdimeve. Biletën për në çerekfinale Prishtinës ia siguroi Lorik Boshnjaku, me golin e shënuar në minutën e 105-të. Në anën tjetër, Llapi e realizoi objektivin e kualifikimit duke e mundur Ballkanin në stadiumin “Zahir Pajaziti” vetëm pas penalltive. 120 minutat lojë nuk prodhuan gola, teksa në gjuajtjet e 11-metërshave më të saktë u treguan llapjanët, të cilët fituan 4:3.