27 prill, 2022 – Prishtina ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 31-të në BKT Superligë. Skuadra nga kryeqyteti ka arkëtuar pikët e plota si mysafire në duel me Gjilanin, me përmbysje të rezultatit 2:1. Kjo fitore ia mundëson skuadrës së drejtuar nga Abdullah Ibrakoviq që të vazhdojë paksa më e qetë kampionatin, pasi tashmë ka pesë pikë më shumë se sa skuadra në pozitën që dërgon në barazh. Albert Dabiqaj shënoi për vendasit në minutën e 33-të, por më pas fillimisht Besnik Krasniqi i barazoi shifrat nga penalltia, derisa Gauthier Mankenda ia siguroi fitoren Prishtinës, me golin e realizuar në minutën e 80-të. Fitore në shtëpi ka realizuar Drenica, e cila e ka mundur Ulpianën, me rezultat 3:1. Osman Mëziu e realizoi golin e parë në minutën e 23-të, ndërsa dy golat e tjerë kishin autor Armend Abazin, në minutat 53’ dhe 63’. Ndërkaq, golin e nderit për Ulpianën e shënoi Elvis Ahmeti, në minutën e 88-të. Pas kësaj fitoreje Drenica zë vendin e shtatë, me 39 pikë. Në ndeshjen tjetër, Dukagjini ka shënuar fitore të lehtë ndaj skuadrës së fundit në renditje, Feronikelit, me rezultat 4:0. Golat për skuadrën klinase i shënuan Altin Merlakut (9’), Arbër Shala (15’), Ergyn Ahmeti (45’), Stefan Nikoliq (85’), Dukagjini, që në këtë ndeshje u udhëhoq nga ndihmëstrajnerët Artan Luzi dhe Agon Ramadani, për shkak se Armend Dallku ishte i suspenduar me kartonë të verdhë, pozicionohet në vendin e gjashtë me 39 pikë, aq sa ka edhe Drenica në vendin e shtatë.