2 qershor, 2020 – Prishtina ka arritur fitore me rezultat bindës kundër Drenicës, me shifrat 3:0, në ndeshjen që shënoi rikthimin e futbollit në Kosovë pas gati tre muajsh pauzë për shkak të pandemisë Covid-19. Kësisoj, bardhekaltrit e kryeqytetit kanë bërë një hap të madh drejt finales së Digitalb Kupës së Kosovës, ndonëse u mbetet që biletën për finalen e 29 korrikut ta konfirmojnë në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale që zhvillohet në Skenderaj, më 17 qershor. Prishtina pati paraqitje shumë më të mirë se sa kuqezinjtë e Skenderajt, edhe pse këta të fundit fare lehtë kanë mundur që nga ky takim të dalin me rezultat të favorshëm. Rezultati u zhbllokua në minutën e 28-të, kur Ahmet Januzi shënoi nga afërsia pas asistimit të Oto John. I njëjti futbollist realizoi edhe në minutën e 43-të, kësaj radhe pas asistimit të Armend Thaçit. Ndërkohë, në pjesën e dytë drenicasit ishin më kreativ dhe në minutën e 88-të patën mundësi të artë për të shënuar golin e shpresës së madhe, por Hasan Hyseni dështoi nga pika e bardhë. Vetëm dy minuta më pas Prishtina realizoi edhe golin e tretë, kur Meriton Korenica shënoi me kokë pas harkimit të Mankendas, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3:0. Ndeshja tjetër gjysmëfinale zhvillohet të mërkurën në Suharekë ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit.